Ambasadori çek ia dorëzon mirënjohjen e fituar nxënëses, Dituri Kodra

KaçanikPostuar: 15:31 / 16.04.2018

Ambasadori çek në Kosovë, Ivo Silhavy sot vizitoi ShFMU “Emin Duraku” në Kaçanik ku është pritur nga drejtori i shkollës, Avdyl Reka dhe zëvendësdrejtori Hilmi Hoxha e mësimdhënës të shkollës.

Ai me këtë rast i ka dhuruar nxënëses së klasës së nëntë (IX) Dituri Kodra, mirënjohjen të cilën ajo e ka fituar në një konkurs të mbajtur në Çekisë për vizatime.

Konkursi ndërkombëtar ishte mbajtur vitin e kaluar dhe të drejt konkurrimi kanë pas fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta edhe nga Kosova.

Ambasadori çek para nxënësve të klasës së Dituri Kodra është shprehur se është i nderuar që gjendet në mesin e nxënësve të ShFMU “Emin Duraku” për një arsye shumë të veçantë, pra për t'i dhuruar nxënëses së shkollës mirënjohjen e fituar në Lidice të Çekisë.

Ai theksoi se nga 11 shkolla me 169 nxënës që kishin konkurruar nga Kosova, me mirënjohje është nderuar vetëm Dituri Kodra, ndërsa sqaroi se konkursi mbahet në shenjë përkujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së Dytë Botërore në Lidice të Çekisë.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës, Ylber Bajra. Ai me këtë rast ka thënë se suksesi i Diturisë "na gëzon të gjithëve dhe është një shembull që duhet ndjekur të gjithë".

"Ky sukses është edhe një motiv shtesë për ngritjen e cilësisë në shkollat tona, ndërkohë që ka falënderuar ambasadorin dhe popullin çek për angazhimin dhe ndihmën e ofruar popullit tonë", tha ai. /InfoKomuna/