Asfaltohen dy rrugë në komunën e Kaçanikut

KaçanikPostuar: 15:30 / 31.10.2017

Në kuadër të projekteve kapitale komunale, kanë vazhduar punimet në asfaltimin e dy rrugëve lokalë në fshatin Runjevë, rruga “Bajram Berisha” si dhe rruga “Migjeni”. Vendpunishten e vizitoi Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Ramadush Osmani, përcjell InfoKomuna.

Kryetari Ilazi vlerësoi rëndësinë e realizimit të këtyre projekteve, duke shtuar se asfaltimi i rrugëve do të lehtësoj qarkullimin dhe do të krijohen lehtësira për zhvillim të veprimtarive të ndryshme afariste. Menaxheri i dy projekteve Betim Shala, tha se rruga “Bajram Berisha” është asfaltuar në gjatësi prej 235 metra, kurse rruga “Migjeni” në gjatësi prej 153 metra.

Realizimi i këtyre dy projekteve është duke u bërë në kuadër të memorandumit të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Kaçanikut për asfaltimin e disa rrugëve lokale në komunën tonë.

/InfoKomuna/