Ekzekutivi i Kaçanikut diskuton organizimin e aktiviteteve për pritjen e mërgimtarëve

KaçanikPostuar: 11:19 / 08.07.2019

Aktivitete të shumta mikpritëse kulturore e artistike do të organizohen gjatë muajit korrik me rastin e pritjes së bashkatdhetarëve që do të vijnë në vendlindjen e tyre. Në mbledhjen e fillimjavës udhëhequr nga Kryetari Besim Ilazi dhe Nënkryetari Ylber Bajra, ekzekutivi komunal diskutoi formën e organizimit të shumë aktiviteteve të cilat do të mbahen për bashkatdhetarët tanë.

Takimi i bashkatdhetarëve në Zyrën e kryetarit, organizimi i piknikut si dhe aktivitetet e tjera kulturore artistike, do të përmbushin agjendën mikpritëse komunale për bashkatdhetarët, të cilët do të vizitojnë vendlindjen e tyre gjatë sezonit verore.

Po ashtu ekzekutivi komunal kërkoi mirëkuptim tek qytetarët me rastin e vend-punishteve të shumta të krijuara nëpër rrugë, ku për shkak të kohës së përshtatshme atmosferike janë duke u zhvilluar shumë punime në projekte të shumta që për qëllim kanë rregullimin e mirëqenies qytetare.

Në takim gjithashtu u diskutuan edhe aktivitetet dhe projektet komunale që janë duke u realizuar në komunën tonë. /InfoKomuna/