Ekzekutivi i Kaçanikut i përkushtuar në kërkimin e dy policëve të zhdukur

KaçanikPostuar: 12:17 / 30.04.2018

Ekzekutivi komunal në mbledhjen e mëngjesit shprehu përkushtimin dhe angazhimin në lidhje më procesin e kërkimit të dy policëve të humbur në Lumin Lepenc.

Pas përfundimit të takimit të mëngjesit, kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi me një pjesë të stafit ekzekutiv, ka dalë sërish në terren për të parë nga afër kërkimet që janë duke vazhduar edhe në këto momente.

Kryetari Ilazi tha se edhe në këto momente janë të angazhuar të gjitha njësitet relevante të kërkim shpëtimit, ndërsa sot është shtuar edhe numri i qytetarëve të cilët vullnetarisht i janë bashkuar aksionit të kërkimit.

Kryetari Ilazi shprehu konsideratë për të gjithë ata që janë angazhuar në kërkimin e dy policëve të zhdukur, ndërsa tha se bashkëndjejnë me familjen, miqtë dhe të gjithë qytetarët e tjerë në këto momente ankthi, pritje e shprese. /InfoKomuna/