Hapet qendra për grumbullimin e bimëve medicinale aromatike në Kaçanik

KaçanikPostuar: 13:56 / 25.06.2019

Zëvendës Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Colleen Hyland, Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Dijana Zivic, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno, Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Ylber Bajra dhe një pjesë e stafit të tij, si dhe përfaqësues të tjerë morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës për grumbullimin e bimëve medicinale aromatike “ BIOFRUTI’ në Kaçanik.

Takimin e hapi fermerja dhe njëkohësisht pronarja e kësaj qendre Zarije Malsiu, e cila në veçanti falënderoi USAID-in për përkrahjen e dhënë në realizimin e këtij projekti.

Ajo theksoi se pyjet e anës së Kaçanikut janë të pasura me bimë aromatike dhe medicinale, ndërsa shprehu angazhimin e saj në përkrahje dhe angazhim të shumë grave në këtë projekt.

Për hapjen e kësaj qendre, femrat nga Komuna e Kaçanikut u përgëzuan edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ministria e Bujqësisë, programi USAID si dhe nga Komuna e Kaçanikut.

Projekti i hapjes së qendrës për grumbullimin e bimëve medicinale aromatike në Kaçanik është përkrahur financiarisht nga USAID-i ndërsa në këtë projekt planifikohen të përfshihen shumë femra që do të ndikoj në uljen e papunësisë. /InfoKomuna/