Kaçaniku diskuton për projektet kapitale dhe për buxhetin komunal

KaçanikPostuar: 14:46 / 15.08.2017

Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Kaçanikut, ka organizuar sot një debat me administratorët komunalë, ku janë diskutuar investimet kapitale komunale si dhe planifikimi i buxhetit komunal për vitin 2018.

Takimin e hapi Faruk Dërmaku, zyrtar i programit pranë OSBE-së, i cili falënderoi administratorët për kontributin e tyre.

Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Remzi Elezi tha se janë në fazën e implementimit të projekteve milionëshe komunale, të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të komunës dhe do të krijojnë kushte sa më të mira për mirëqenien e tyre, raporton InfoKomuna.

Nënkryetari përmendi investimet në infrastrukturën rrugore, investime në arsim ku përfshihet ndërtimi i tri shkollave fillore dhe i çerdhes publike, ndërtimi i shtratit të lumit Lepenc, shtimi i kapaciteteve të ujësjellësit, ndërtimi i banesës për banim social e shumë projekte të tjera, ndërsa theksoi se me përfundimin e rregullimit të infrastrukturës, komuna do të ketë prioritet zhvillimin ekonomik të vendit si dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Ai falënderoi ministritë për financimin e shumë projekteve si dhe donatorë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë që po ndihmojnë në realizmin e projekteve të ndryshme.

Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Bahri Selimi, fillimisht falenderoi OSBE-në për organizimin e këtij takimi që sipas tij ishte një mundësi e mirë për diskutimin e projekteve dhe prioritete komunale.

Drejtori Selimi njoftoi administratorët se buxheti komunal për vitin 2018 do të jetë në vlerë prej 7 milionë e 563 mijë euro, krahasuar me vitin paraprak do të ketë gjysmë milioni rritje, transmeton InfoKomuna.

Drejtori Selimi shpalosi para anëtarëve ndarjen e buxhetit sipas kategorive, ndërsa me fokus të vençat shpjegoi ndarjen e buxhetit tek investimet kapitale, kurse kërkoi nga administratorët që të japin propozimet e tyre, varësisht nga nevojat e lokaliteteve për investime kapitale për vitin 2018.

Edhe drejtori për Shërbime Publike, Ramadush Osmani, njoftoi administratorët për ecurinë e implementimit të projekteve kapitale, ndërsa shtoi se janë në vlugun e implementimit të projekteve, duke shtuar se në kuadër të investimeve milionëshe për këtë vit, pothuajse nuk ka mbetur asnjë lagje apo lokalitet i paprekur nga investimet.

Nga ana tjetër administratorët komunalë u shprehën të kënaqur me investimet komunale, megjithatë paraqitën nevojat e komunitetit që ata përfaqësojnë.

Përfaqësuesit lokalë kërkuan investime në infrastrukturën rrugore përfshirë kanalizimin, trotuarin dhe ndriçimin publik, rritjen e kapaciteteve të ujit, investime në infrastrukturën arsimore, investime në shëndetësi etj.

Administratorët po ashtu cekën problemet e lokaliteteve për gjatë të cilave është duke u ndërtuar autostrada.