Kaçaniku i Vjetër bëhet me objekt të ri shëndetësor

KaçanikPostuar: 15:07 / 19.12.2018

“Pacienti në qendër të vëmendjes” është motoja me të cilën kryetari Besim Ilazi është duke vazhduar përmbushjen e prioriteteve shëndetësore në Kaçanik. Sot është përuruar objekti i ri shëndetësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër.

Prerjen e shiritit e bënë drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, drejtori i QKMF-së Sinan Zeneli dhe ish drejtori Nejazi Ilazi.

Projekti “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër” është financuar në tërësi nga buxheti komunal, ndërsa ka kushtuar 81 mijë 453 euro, kurse mobilimi ka kushtuar afër 7 mijë euro.

Nënkryetari Ylber Bajra uroi banorët e fshatit Kaçanik të Vjetër për objektin e ri shëndetësor i ndërtuar sipas standardeve të larta të ndërtimit, ndërsa tha se shëndetësia në Kaçanik është prioritet i institucioneve komunale.

Edhe banorët e kësaj ane u shprehën të kënaqur me investimin në këtë qendër mjekësore, e cila do të krijoj kushte moderne dhe shërbime më efikase për pacientët. /InfoKomuna/