Kaçaniku miraton vendimin për financimin e shpenzimeve të varrimit

KaçanikPostuar: 10:27 / 30.01.2019

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut mbajti mbledhjen e parë për këtë vit, ku me shumicë votash miratoi planin e ekzekutivit për vitin 2019, ndërsa u kërkua që në këtë plan të përfshihet edhe buxheti në të gjitha aktivitetet.

Anëtarët e kuvendit po ashtu u informuan me punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për vitin 2018, ku kërkua që rekomandimet e dala nga ky këshill të zbatohen, informatë e Punës së Zyrës së Personelit për periudhën, Janar-Dhjetor 2018, informatë lidhur me zbatimin e Planit të Integritetit, për vitin 2018 si dhe Informatë e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës për përfundimin e periudhës së parë të vitit shkollor 2018/2019.

Anëtarët e kuvendit me shumicë votash miratuan propozim vendimin për financimin e shpenzimeve të varrimit, për rastet mortore të paraqitura te qytetarët e Komunës së Kaçanikut ku këtë vit janë shtuar edhe disa shërbime si dhe propozim vendimin paraprak për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, në tokë ndërtimore të Parcelës Kadastrale 00144-51 Zona Kadastrale Kaçanik, në Dushkajë, me kulturë Mal i klasës së 1 (Parë) në emër të Xhabir Zharkut. /InfoKomuna/