KKSB diskuton problemet që po shkaktohen nga ndërtimi i autostrades

KaçanikPostuar: 09:08 / 13.09.2017

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, udhëhoqi mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku u diskutuan një mori temash dhe problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët me rastin e ndërtimit të autostradës nga Kompania Bechtel Enka, njofton InfoKomuna.

Në takim raportoi toger Afrim Halili, i cili tha se gjendja e sigurisë ka qenë në përgjithësi e qetë, përkundër fluksit të madh të bashkëatdhetarëve dhe shtimit të veturave në trafik.

Toger Halili tha se edhe më tutje mbetet evidente dukuria e vjedhjes se derviateve të Kompanisë Bechtel Enka nga persona të panjohur, ndërsa tha se Policia e Kosovës është duke u marrë vazhdimisht me këtë problem në indentifikimin e personave të kyçur në këtë dukuri. Komandant halili poashtu theksoi se ka pasur në vazhdimësi protesta dhe ankesa nga ana e qytetarëve për dëmet e shkaktuara nga kjo kompani me rastin e ndërtimit të autostradës.

Anëtarët e KKSB-së kërkuan formimin e një komisioni komunal që do të vlerësonte dëmet e shkaktuara nga kompania e cila po merret me ndërtimin e autostradës që po përshkon edhe në Komunën e Kaçanikut.

Në takim u diskutua edhe për efektin e kamerave që janë vendosur muaj më parë në Kaçanik, vetëdijësimin e nxënësve për rregullat në trafik si dhe tema të tjera të rëndësishme për qytetarët kaçanikas.
/InfoKomuna/