Komuna e Kaçanikut e angazhuar në mirëmbajtjen e rrugëve nga reshjet e borës

KaçanikPostuar: 10:53 / 17.12.2018

Kryetari i Komunës Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra, udhëhoqën mbledhjen e fillimjavës, ku u diskutuan aktivitetet e realizuara javore si dhe planifikimet për javën që sapo kemi filluar. Në takim u shpreh përkushtimi institucional për mirëmbajtjen e rrugëve nga reshjet e borës.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave bëri të ditur se kompania e kontraktuar është në vazhdimësi në terren dhe është duke intervenuar në fshatrat e thella malore si dhe në disa pjesë të qytetit, varësisht nga nevoja për intervenim.

Drejtoria e Shërbimeve Publike bëri të ditur se kjo kompani ka intervenuar në fshatrat Shtrazë, Ivajë, Glloboqicë dhe në disa zona të thella malore, ndërsa bëri të ditur se të gjitha rrugët janë të kalueshme, e në disa vende me vështirësi qarkullimi.

Për shkak të paraqitjes së ngricave, gjatë ditës së sotme në disa pjesë është duke u bërë hedhja e kripës dhe zhavorrit.

Në takim u diskutuan edhe punët dhe aktivitetet tjera përmbyllëse vjetore komunale. /InfoKomuna/