Miratohet raporti financiar për Janar-Qershor 2017

KaçanikPostuar: 15:04 / 28.07.2017

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur sot mbledhjen e VII për vitin 2017, të cilën mbledhje e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Xhelal Gashi, ndërsa i pranishëm ishte edhe Nënkryetari i Komunës Remzi Elezi, transmeton InfoKomuna.

Bahri Selimi- Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, shpalosi para delegatëve të kuvendit raportin gjashtëmujor financiar për periudhën Janar-Qershor 2017. Sipas drejtorit Selimi, Raporti i Buxhetit Komunal për periudhën Janar – Qershor 2017 ka për qëllim të informimit objektiv lidhur me ecurinë dhe treguesit relevant rreth përmbushjes së planit të grumbullimit të mjeteve sipas burimeve, përmbushjes së obligimeve të planifikuara sipas plan programeve, dinamikën e mjeteve të shpenzuara dhe atë sipas natyrës së shpenzimeve dhe kategorive të përcaktuara buxhetore, rrjedhën e parasë si dhe treguesit tjerë që kanë ndikuar në rezultatet e përgjithshme për këtë periudhë. “ Buxheti i miratuar për Komunën e Kaçanikut për vitin 2017 është në shumë prej: 7,039,281.00 € . Shumës së buxhetit të miratuar – fillestar iu janë shtuar mjetet e pashpenzuara nga viti 2016 dhe të bartura në vitin 2017 ne shumë prej: 141,463.03€ dhe Participimet dhe donacionet në shumë prej: 55,275.84 €, Gjithsej shuma e buxhetit aktual është në shumë prej: 7,236,019.84€” tha drejtori Selimi ndërsa shtoi se dinamika e shpenzimeve për këtë periudhë është realizuar me 41.25 % në raport me Buxhetin e Planifikuar apo shuma prej 2,903,872.61. Drejtori poashtu shpalosi edhe raportin gjashtëmujor të të hyrave vetanake, duke shtuar se krahasuar me gjashtëmujorin e njejtë të vitit të kaluar është shënuar rritje e të hyrave vetanake, 70 mijë euro apo 26% më shumë krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Lidhur me raportin e shpenzimeve diskutuan edhe delegatët e kuvendit. Shukri Luta (BDK), tha se gjatë periudhës raportuese të shpenzimeve edhe dinamika e punëve është më e vogël, ndërsa shprehu shqetësimin e tij lidhur me disa shpenzime komunale ndër ta edhe shpenzimet për mbeturina, kurse Basri Kodra (delegat i pavarur), kërko mbikëqyrje profesionale tek projektet kapitale, ndërsa Artan Shehu (LDK), theksoi se raporti i shpenzimeve në përgjithësi është një raport i punuar mirë, por kërkoi më shumë angazhim rreth vjeljes së të hyrave vetanake.

Kuvendi njëzëri miratoi Propozim Vendimin për Transferimin/ Rialokimin e mjeteve të projekteve kapitale brenda të njëjtit nën program buxhetor, ku në këtë është përfshirë projekti “Ndërtimi i urës për këmbësor mbi Lumin Lepenc tek Lagjja Dallosh faza e dytë”. Selim Reka (LDK), Raif Kasa (VV) dhe Kemajl Murseli (PDK) e vlerësuan këtë projekt si urgjent për t’u implementuar pasi që është më se i nevojshëm për banorët e kësaj ane, e sidomos për nxënësit që vijojnë mësimet në Shkollën Fillore, ndërsa kërkuan edhe asfaltimin e rrugës që përshkon në këtë pjesë.
/InfoKomuna/