Në Kaçanik aksidentet në komunikacion mbesin shqetësuese

KaçanikPostuar: 13:19 / 20.08.2018

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), diskutoi për gjendjen e sigurisë në Komunën e Kaçanikut në mbledhjen e katërt me radhë, të cilën e udhëhoqi Kryetari Besim Ilazi.Fillimisht Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik kapiten Afrim Halili, raportoi për gjendjen e sigurisë në Kaçanik për periudhën dy mujore, të cilën e konsideroi të qetë e stabile përkundër fluksit të madh të bashkatdhetarëve dhe sezonës së dasmave dhe ahengjeve.

Komandant Halili tha se edhe gjatë kësaj sezone ka pasur raste të gjuajtjes me armë zjarri, ndonëse si dukuri është zvogëluar por ende nuk është eliminuar në tërësi.

Komandanti bëri thirrje tek qytetarët që gjatë ahengjeve të mos përdorin mjete të rrezikshme sepse policia do të intervenoj sipas rregullave të parapara. Komandant Afrim Halili po ashtu njoftoi se për shkak të aksidenteve të shumta, janë shtuar pikat e kontrollit, rritje të gjobave, si dhe është duke u zhvilluar fushatë sensibilizuese si përmes shpërndarjes së fletushkave etj, ndërsa sfiduese në komunikacion mbeten edhe punimet e Kompanisë Bechtel Enka e cila po shkakton tollovi dhe pengesa në rrugë.

Ai uroi qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar që kjo festë të kalojë e qetë pa ndonjë incident, por të ketë harmoni e gëzime familjare. Lidhur me gjendjen e sigurisë diskutoi anëtari i KKSB-së Kjani Sallahu i cili shprehu shqetësimin e tij për aksidentet në kominukacion ku sipas tij shpesh herë ka raste që automjetet drejtohen nga personat që nuk posedojnë patentë shofer, shitësit ambulantë në vende që pengojnë komunikacionin, cilësia e bukës në treg, prerja e pyjeve etj, ndërsa Shemsedin Abazi u shpreh i shqetësuar nga lypsarët të cilët vijnë nga Shqipëria dhe që sipas tij mund të paraqesin rrezik për sigurinë e qytetit.

 Anëtarët e KKKSB-së diskutuan edhe për dukuritë negative në shoqëri sidomos nëpër shkolla, ku drejtori për Arsim dhe Kulturë Zahir Doda përshëndeti iniciativën e Policisë së Kosovës për vazhdimin e projektit për realizimin e planit operativ “STOP Drogave” që do të filloj sërish në muajin Shtator. Drejtori poashtu njoftoi se me fillimin ne vitit shkollor do të aplikohet edhe rregullorja e re për shkollat ku është e përfshirë edhe siguria e nxënësve në Komunën e Kaçanikut.

Nga ana tjetër Drejtori për Shërbime Publike Ramadush Osmani njoftoi anëtarët e KKSB-së lidhur me procesin e menaxhimit të mbeturinave, ndërsa diskutoi edhe për punët që është duke kryer DSHP-ja në krijimin e hapësirave për parkingje si dhe për projektet e shenjëzimit rrugor. /InfoKomuna/