Nis ndërtimi i dy objekteve të rëndësishme për mirëqenien qytetare në Kaçanik

KaçanikPostuar: 11:56 / 19.09.2017

Në kuadër të vazhdimit të rregullimit të mirëqenies qytetare, Komuna e Kaçanikut ka filluar ndërtimin e objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Kaçanik të Vjetër si dhe ndërtimin e objektit për banim social poashtu në këtë fshat.

Për të përcjellur nga afër fillimin e punimeve, vendpunishten e kanë vizituar Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Remzi Elezi si dhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, transmeton InfoKomuna.

Nënkryetari Elezi tha se këto dy objekte paraqesin një rëndësi të madhe për rregullimin e mirëqenies qytetare njëri në aspektin e shëndetësisë, kurse tjetri në ngritjen e mirëqenies për familjet e varfra pa kulm mbi kokë.

Projekti “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër” në fazën e parë do të kushtoj 58 mijë euro, mjete të siguruara tërësisht nga buxheti komunal.

Projekti “Ndërtimi i objektit për banim social” do të ndërtohet me epazhitet p +5 ndërsa do të kushtoj 343 mijë 974, projekti i financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Kaçanikut. /InfoKomuna/