Për tre muaj Kaçaniku inkason rreth 60 mijë euro nga tatimi në pronë

KaçanikPostuar: 14:45 / 26.03.2018

Ekzekutivi i komunës së Kaçanikut mbajti mbledhjen, kryesuar nga kryetari Besim Ilazi, me ç’rast drejtorët raportuan për punët e kryera gjatë javës së kaluar dhe njoftuan për aktivitetet që do të mbulojnë gjatë kësaj jave, raporton InfoKomuna.

Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim njoftoi se është përfunduar me sukses shpërndarja e të gjitha faturave të tatimit në pronë, ndërsa inkasimi nga ky tatim deri më 21.03.2018 është në shumë prej 58, 905.00 euro e që është 17.033.00 euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak.

Në takim drejtori për Arsim, Kulturë e Sport njoftoi për vizitën e zhvilluar nga organizata "Bonevet" me qëllim vlerësimi të kushteve për aktivizim të të njëjtës në komunën tonë. U mbajt edhe takimi me përfaqësuesit e GIZ-it gjerman lidhur me projektin YES (Rinia, Punësimi, Shkathtësitë) që do të realizohet në shkollat profesionale në tërë Kosovën.

Drejtori i sektorit të Shërbimeve Publike njoftoi për aktivitetin për pastrimin e rrugëve të qytetit, si dhe për operacionin për shpëtim kërkimin e një personi të humbur në fshatin Strazhë, aksion ky që u ndërmor në koordinim me njësitë e zjarrfikësve, policisë dhe forcave të FSKsë.

Drejtori i sektorit ë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe pylltarisë njoftoi se ky sektor vazhdon me pranimin e aplikacioneve prej MBPZh deri më 30 mars. /InfoKomuna/