QKMF-ja në Kaçanik paralajmëron prindërit për sëmundjen e fruthit

KaçanikPostuar: 14:25 / 18.10.2017

Qendra e Mjekësisë Familjare në Kaçanik ka dalë me një njoftim lidhur me sëmundjen e fruthit e cila tashmë ka filluar të përhapet në Kosovë.

Siç thuhet në njoftim, ekipet nga QKMF të vaksinimit dhe stafi mjekësor janë në krye të detyrës dhe se gjendja është nën kontroll, raporton InfoKomuna.

Njoftimi i plotë i QKMF-së në Kaçanik:

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Kaçanikut
Kohëve të fundit kemi paraqitjen e rasteve me sëmundjen e fruthit në Republikën e Kosovës, gjë për të cilën jeni informuar përmes mjeteve të informimit, ndërsa kjo ka ardhur si pasojë e mos-vaksinimit të fëmijëve.
Prandaj kërkojmë nga ju qytetarë, që të shikoni kartelën e vaksinimit të fëmijëve tuaj dhe të verifikoni se a janë vaksinuar fëmijët tuaj me rregull dhe konkretisht a janë vaksinuar kundër fruthit.
Vaksina kundër fruthit merret në moshën 1 vjeçare dhe rivaksinimi bëhet në moshën parashkollore.
Të gjithë ata prindër që nuk kanë vaksinuar fëmijët e tyre prej moshës 1 vjeç deri 14 vjeç, duhet ti sjellin fëmijët për vaksinim në katin e dytë të QKMF-së në Kaçanik te njësia e Vaksinimit.
Ekipet tona të vaksinimit dhe stafi mjekësor janë në krye të detyrës dhe gjendja është nën kontroll!
Më mirë është të parandalohet një sëmundje, sesa të shërohet. Qytetarë të nderuar vaksinoni fëmijët tuaj!”
/InfoKomuna/