Rritet përqindja e realizimit të buxhetit në Komunën e Kaçanikut

KaçanikPostuar: 15:53 / 31.08.2021

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur të martën mbledhjen e nëntë për vitin 2021, të cilën e ka udhëhequr kryesuesi i këtij kuvendi, Kemajl Murseli. Në mbledhjen e këtij kuvendi ka marrë pjesë edhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi.

Fillimisht, raportin financiar për periudhën janar- qershor 2021, e ka prezantuar drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Bahri Selimi, i cili ka thënë se është rritur përqindja e realizimit të buxhetit nga viti paraprak.

Ai ka theksuar se ka afër 50 për qind realizim të të  hyrave vetanake. Me tutje, Selimi ka siguruar se çdo cent është shpenzuar në mënyrë transparente.

Ndërsa anëtarët  Kuvendit të Komunës së Kaçanikut nga opozita kanë kërkuar më shumë sqarime në lidhje me shpenzimet buxhetore, si dhe janë shprehur të pakënaqur me përqindjen e realizimit të buxhetit.

Pas diskutimeve të mëtutjeshme me shumicë votash është miratuar propozim-vendimi për transferimin e mjeteve sipas buxhetit të vitit 2021.

Në këtë mbledhje nuk ka kaluar propozim-vendimi për aprovimin e listës së veçantë të pronave komunale të cilat do të jepen në shfrytëzim në vitin 2022.