Të hyrat vetanake të Kaçanikut parashihen të kenë rritje prej 3%

KaçanikPostuar: 15:53 / 05.03.2018

Është mbajtur mbledhja e rregullt e Ekzekutivit të Komunës së Kaçanikut, ku kryetari Besim Ilazi u informua me zhvillimet e fundit në këtë komunë.

Drejtori i Arsimit, Zahir Doda njoftoi se të gjitha shkollat në Komunën e Kaçanikut janë të furnizuara me material për ngrohje. Njëherit bëri të ditur se është bërë vendimi për përcaktimin dhe kriteret për bursa të studentëve.

Bahri Selimi drejtor i Ekonomisë Financave dhe Zhvillim njoftoi se pas shqyrtimin në Kuvendin Komunal të propozim-vendimit për bartjen e mjeteve të pashpenzuara është përgatitur edhe shkresa zyrtare dhe është dërguar në departamentin e Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Po nga kjo ministri janë kërkuar planifikimet për projeksionet e të hyrave vetanake për vitet 2019-2021. Është përgatitur dhe dorëzuar përmes formës elektronike duke parashikuar një rritje prej afro 3% në krahasim me projeksionet e vitit aktual 2018.

Realizimi i të hyrave vetanake për muajin shkurt 2018 është në shumën prej 35,052.11 euro. Në krahasim me muajin e njejtë të vitit të kaluar kemi rritje në shumë prej 4,557.63 euro.

Nga drejtori për Emergjenca dhe Shërbime Publike Ramadush Osmani njoftohemi për hartimin e paramasës të kanaleve të drenazhës për te varrezat e reja të qytetit.

Drejtori i Administratës Festim Neziraj njofton se nga tash e tutje web-faqja zyrtare e Komunës është ndërruar me dizajnin e ri të aplikuar nga Ministria.

"Gjatë kësaj kohe bëhet bartja e të dhënave nga web-faqja e vjetër në të renë, ky proces merr shumë kohë dhe shpeshherë mund të vijmë tek mungesa e informacioneve të duhura që kërkojnë qytetarët".

"Ky është një version testues dhe përfshinë të gjitha Komunat e Kosovës, andaj shpesh mund të kemi edhe pengesa në qasje. Zyrtari i IT-së është duke punuar vazhdimisht në përditësimin e të dhënave". /InfoKomuna/