Vepra madhore infrastrukturore e Ballkanit mes Grykës së Kaçanikut

KaçanikPostuar: 15:09 / 08.11.2018

Tashmë është çështje minutash kur nga Prishtina nisesh drejt Ferizajt. Pas pak kohe do të jetë njejtë edhe për në Shkup. Autostrada çan përmes luginash, e rrëzë fshatrash. E kur terreni vështirësohet, ndërron situata. Grykën e Kaçanikut mund ta përthakojë vetëm një urë. E shtrirë në një gjatësi si kurrë më parë, e lartësi për t’i “kapur” majat përreth. Është kjo ura në autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”.

Ajo do ta vë Kosovën në piedestal për urën më të gjatë në Ballkan. Është e gjata urë, 5814 metra.

Kjo urë do të shkurtojë distancën mes Prishtinës dhe Shkupit dukshëm. Që kjo të arrihet dhe fal standardit të kësaj ure shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 130 kilometra në orë.

Punimet për jetësimin e kësaj ure kishin filluar në vitin 2014, atëherë kur filloi puna për gjithë autostradën “Arbër Xhaferi”.

Kjo vepër infrastrukturore përveç mbi lumin Lepenc, kalon edhe mbi hekurudhë dhe mbi rrugën ekzistuese. Faqet e malit skaj urës janë të ndryshëm. Diku shohim se është mbështjellë me gurë, diku tjetër me beton dhe sonda të futura në mal, vetëm që të ketë siguri.

Ne kishim fatin si ekipi i parë që ecën mbi këtë urë gjigante, ku punimet vazhdonin gjithandej. Kënaqësia është e madhe të ecësh përmbi, por puna shihet më mirë nga poshtë se çka zihet.

3600 punëtorë çdo ditë lidhin armaturë, vendosin traje, derdhin beton, izolojnë e shtrojnë asfalt, që autostrada të përfundohet më shpejt.

Sipas të gjitha gjasave brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të kalojnë mbi këtë urë. Kështu thotë Ela Ruçi, zëdhënësja e “Bechtel&Enka”-s, që udhëhiqte ekipin tonë në terren.

“Ne po bëjmë maksimumin që kjo vepër të përfundojë brenda këtij viti. Po punohet me kapacitete të plota, jemi rreth 3 mijë e 600 që punojnë në këtë projekt, në një hapësirë vetëm 20 kiliometërshe. Një pjesë e mirë e punëve ka përfunduar. Janë punët finale… Por, kapacitetet tona janë  maksimale në këtë pikë kulminante të projektit”, tha ajo.

E gjithë puna po realizohet me mjetet më të mira të fushës. Rreth 47 vinça të tonazhit të rëndë, tre lanqër të mëdhenj, e shumë mjete tjera po përdoren për urën e standardeve evropiane.

Shtyllat e urës të lënë pa fjalë. 260 shtylla lartësojnë deri në 80 metra veprën e veçantë infrastrukture të Ballkanit, e që gjatë udhëtimit do të shihen bukuritë e fshehta të kësaj ane.

“Shtyllat mbajtëse të  urës janë rreth 260 këmbë. Ndërsa, trarët që vendosen mbi urë janë rreth 1414, të prodhuar të gjitha në këtë hapësirë dhe të ndërtuara në mënyra të ndryshe, sepse secila i specifikat e veta teknike. Por, 1414 trarët e prodhuara për këtë urë janë pothuajse gati të vendosen. Pika kulminante është këtu ku jemi, që është rreth 80 metra lartë…fillon nga 3 metra deri në 80 metra lartësi”, tregoi Ruçi.

Trarët e vendosur mbi këtë urë nuk janë të një lloji. Trarët e vendosur janë të tri tipologjive, me gjatësi dhe peshë të ndryshme, prej 40 deri në 160 tonësh. E gjitha varet nga karakteri i terrenit të urës.

Për jetësimin e kësaj ure është dashur të ndërhyhet edhe në natyrë. Vendosja e shtyllave ka obliguar devijimin e rrjedhës së lumit. Por, pavarësish kësaj po sigurohet që lumi do të kthehen në gjendjen fillestare.

“Angazhimi jonë është total. Lumi do të shkojë në shtratin e tij normal, por i stabilizuar edhe brenda të gjitha parametrave që janë caktuar nga organizatat ambientaliste dhe studimi ambiental që është bëra para se të bëhet projekti”, u shpreh Ruçi.

Jo gjithçka shkon lehtë e lehtë në këtë kantier gjigant. Vështirësitë ecin aty pari, por puna nuk ndalet.

“Vështirësitë që ne hasim në ndërtim nuk janë ndoshta të kuptueshme për të gjithë njerëzit. Janë të ët gjitha llojeve, duke filluar nga një ditë më reshje të mëdha te një lum i vërshueshëm, që përmbytë një kantier, tek problemet që dalin në terren, aspektet gjeologjike, aspektet ambientale. Pra, janë pafund problematikat që ndalin në realizimin e projekteve kaq të mëdha. Për këtë arsye ka një kapacitet shumë të madh njerëzish që punojnë në të gjitha këto drejtime”, shtoi ajo.

Ecnim lartë e poshtë nëpër kantier dhe mahnitëshe pafund nga shtyllat e larta që dukeshin të pafundme. Për këtë autostradë të gjithë ekipi i “Bechtel&Enka”-s kërkonte që qytetarët t’i falënderohen punëtorëve. Këta të fundit ka raste edhe kur lëndohen dhe janë pjesë e aksidenteve, por kjo është puna në një kantier të madh./Ndertimi/InfoKomuna/