KEDS, i gatshëm për bashkëpunim me komunat

KamenicëPostuar: 16:22 / 07.10.2021

Në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave të Kosovës, këshilltari ekzekutiv Fidan Dushi, bashkë me zyrtarin për pajtueshmëri Avni Alidemaj, sot kanë pritur pranë zyrave të KEDS, kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Gjatë këtij takimi, Dushi potencoi se bashkëpunimi i KEDS me krerët e komunave, është tejet i rëndësishëm në arritjen e aspiratave tona në sferën energjetike.

“Dyert e KEDS-it janë përherë të hapura kur është fjala për të mirën kolektive, sidomos në energjetikë, ku ne si kompani merremi me shpërndarjen e rrjetit të energjisë. Bashkërisht, do të angazhohemi që konsumatorëve t’u ofrojmë shërbimet e duhura”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, falënderoi KEDS-in për investimet e realizuara deri më tani në këtë komunë, duke qenë i hapur edhe për bashkëpunime në të ardhmen.

“Një komunë si Kamenica, me territor tejet të shpërndarë gjeografikisht, e ka më se të nevojshme mbështetjen e KEDS, sidomos në zonat e Malësisë.”, tha ai.

E, zyrtari i pajtueshmërisë, Avni Alidemaj, tha se për kërkesat e kësaj komune për përmirësim të furnizimit me energji elektrike, do të dërgohen ekipet në terren për analizimin e gjendjes.