Më shumë se gjysma e drejtorive në Kamenicë do të udhëhiqen nga gratë

KamenicëPostuar: 16:55 / 23.02.2018

Qëndron Kastrati ka përzgjedhur ekipin e tij drejtues duke emëruar 11 drejtorët që do t’i ndihmojnë në qeverisjen e Komunës së Kamenicës. Më shumë se gjysma e drejtorëve janë gra.

Faton Jakupi dhe Bojan Stamenkoviq janë nënkryetarët e Komunës së Kamenicës, Brikenë Ramabaja, drejtore e Administratës së Përgjithshme, Ismete Thaçi, drejtore e Arsimit, Nexhmedin Bislimi, drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Arta Gashi është përzgjedhur të jetë drejtore për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Krenare Mavriqi është emëruar drejtore për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, Dritan Maliqi do të jetë drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Ramadan Basha do të jetë drejtor për Shërbime Publike dhe Inspektorat, Arianit Ibrahimi është emëruar drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, Pajtesa Kryeziu do të jetë drejtore për Mbrojtje dhe Shpëtim, Naim Arifi është përzgjedhur të jetë drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ndërsa Majlinda Krasniqi e ka marrë besimin të jetë drejtore e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati e ka mbajtur premtimin të cilin e ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore se do t’i emërojë gratë në krye të gjysmës së drejtorive në Kamenicë.

“Jo vetëm që kam premtuar, por gratë kanë qenë më të përgatitura në Komunën e Kamenicës”, ka thënë Kastrati për KALLXO.com.

Kryetari i Kamenicës duke prezantuar drejtorët e rinj, ka shkruar në facebook se gjatë fushatës zgjedhore janë zotuar që qeverisja e re do të jetë një kthesë pozitive në zhvillimin e Komunës dhe se pas marrjes së mandatit janë angazhuar në vazhdimësi që ta realizojnë këtë synim.

“Duke qenë se pozita e Drejtorit të Komunës bart me vete përgjegjësi të rëndësishme për realizimin e misionit tonë, ne e morëm me seriozitet të lartë përzgjedhjen e emrave. Burrat dhe gratë që do të ulen në këtë karrige kanë para vetes përgjegjësi të madhe për t’u ofruar qytetarëve shërbimet më të mira dhe për t’u përgjigjur kërkesave dhe nevojave të tuaja”, ka potencuar Kastrati.

Ai më tej ka shtuar se vendimi për të emëruar drejtorët vjen pas një procesi, gjatë të cilit janë munduar maksimalisht të mbajmë standardin e lartë të përzgjedhjes së profesionistëve me integritet dhe vullnet për ndryshim.

“Jemi konsultuar me grupe të ndryshme për t’u siguruar që po e bëjmë përzgjedhjen e duhur”, ka përfunduar Kastrati në postimin e tij në facebook.  /InfoKomuna/