Për afro një vit 18 raste të dhunës në familje në Kamenicë

KamenicëPostuar: 13:48 / 05.12.2017

Zyrtarë të Njësisë komunale për të Drejta të Njeriut të hënën kanë vizituar Stacionin Policor të Kamenicës ku janë informuar për të dhënat për dhunën në familje brenda 11 muajve të këtij viti.

Nazmije Demolli-Kastrati, koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Teuta Kastrati janë njoftuar nga rreshtorja Severxhane Vllasi se në Komunën e Kamenicës deri në nëntor të këtij viti janë raportuar 18 raste, shkruan “Koha Ditore”. Nga këto raste, 11 janë femra dhe 7 meshkuj. Sipas policisë, numri i rasteve të dhunës në familje është afërsisht i njëjtë.

Koordinatorja Demolli- Kastrati ka deklaruar se dhuna në familje duhet të parandalohet. “Fatkeqësisht vetëm një numër i vogël i rasteve të dhunës në familje raportohet tek autoritetet kompetente për trajtimin e kësaj çështjeje, por ekziston perceptimi që në realitet ky numër është shumë më i madh”, ka thënë ajo. Sipas saj, bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në tërësi, për parandalimin e dhunës ndaj gruas, është i domosdoshëm.

“Dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë zyrtarja Demolli- Kastrati.