KLGI mbajti punëtorinë për planifikimin e financimit të shërbimeve sociale në nivel lokal

Postuar: 13:39 / 26.06.2020

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) organizoi punëtorinë virtuale me temën “Planifikimi i financimit të shërbimeve sociale në nivel lokal”.

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin përfaqësues të Drejtorive për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) dhe Qendrave për Punë Sociale (QPS) në nivel lokal.

Qëllimi i takimit ishte planifikimi i financimit të shërbimeve sociale në nivel lokal dhe financimi përmes komisionit të granteve. U pasqyrua propozimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për Komisionin e Granteve për financim të shërbimeve sociale; Planifikimi i buxhetit për vitin 2021 nga Komunat, si dhe ndikimi shtesë, si pasojë e pandemisë COVID-19, përcjell InfoKomuna.

Në këtë kuadër, për të rritur qëndrueshmërinë në planifikim dhe financim, MPMS dhe Kolegjiumi për Shëndetësi dhe Mirëqenie në Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë hartuar një model të Planit Komunal për Shërbime Sociale, i cili do të shërbejë në harmonizimin e prioriteteve me Buxhetin Vjetor dhe Kornizën Afat-Mesme Buxhetore.

Planet Komunale për Shërbime Sociale, janë instrument i rëndësishëm dhe mund ti paraprijnë rritjes së koordinimit dhe efikasitetit në zbatimin e politikave të reja, siç është Granti i Veçantë për Shërbime Sociale, nëpërmjet Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligjit për Shërbimet Sociale.

Granti i Veçantë për Shërbimet Sociale dhe Ligji për Shërbimet Sociale, synojnë financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale në nivel komunal bazuar në standardet minimale. Është evidente që buxhetet publike duhet të sigurojnë mbështetje të përshtatshme financiare për ofrimin e shërbimeve sociale, pasi që kjo paraqet një investim efektiv dhe një element thelbësor në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Organizimi i kësaj punëtorie është pjesë e komponentës për avancimin e politikave publike në nivelin lokal, në kuadër të programit në “Mbështetje të Komunave më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë.
 /InfoKomuna/