Buxheti i Klinës për vitin 2018 - 9.5 milion euro

KlinëPostuar: 15:17 / 08.09.2017

Komiteti për Politikë dhe Financa, sot, ka mbajtur takimin e fundit në këtë legjislacion në të cilin është debatuar për draft-buxhetin 2018 dhe projekt-rregulloren për varrezat, ofrimin e shërbimit të varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre të cilat pas debatit janë rekomanduar për në seancën e Kuvendit të Komunës ku do të merret edhe vendimi përfundimtar.

Buxheti i Komunës së Klinës, për vitin 2018 do të jetë 9 milion e 488 mijë e 703 euro. Vetëm për investime kapitale janë paraparë të shpenzohen 28.12 % e buxhetit që shënon rritje krahasuar me vitet paraprake.

Nga 2 milion e 668 mijë e 202 euro që janë planifikuar për investime kapitale, në sektorin e arsimit është planifikuar të investohen 202. 818 euro, shëndetësi 40.000, administratë 15.000, shërbime publike 220.000, kadastër 13.000, bujqësi 46.500 dhe urbanizëm 2.115. 884 euro. Projektet kanë të bëjnë më ndërtim, renovim shkollash, mirëmbajtje të rrugëve, kanalizimit, ndriçimit publik, hapësirave publike, kanali për ujitje, ndërtime të kanalizimit, asfaltim të rrugëve, ndërtim të urave dhe rregullimi i varrezave të dëshmorëve.

Propozimet për këto projekte kanë ardhur nga drejtoritë komunale duke u bazuar edhe në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve derisa ekziston edhe një kod bashkëfinancim me donatorë ku mund të realizohen edhe projekte tjera. Anëtarët e KPF-së kërkuan rritjen e buxhetit në sektorin e shëndetësisë dhe bujqësi.
/InfoKomuna/