KFOR-i italian planifikon realizimin e tri projekteve në Klinë

KlinëPostuar: 17:01 / 09.01.2018

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti, kanë takuar sot komandantin e MNBG-W – Zonës Perëndimore të KFOR-it, kolonel Ettore Gagliardi, ku është biseduar për bashkëpunimin në mes Komunës dhe KFOR-it dhe disa projekte të cilat do t'i realizojë KFOR-i në këtë komunë.

Koloneli italian Gagliardi, e ka njoftuar Elezajn dhe Hotin se paqeruajtësit italianë që veprojnë në Zonën e Pejës, planifikojnë realizimin e tri projekteve në këtë komunë: pajisje mjekësore, rregullimin e infrastrukturës shkollore në Shkollën e Budisalcit dhe një ndihmë për Caritas-in Ubria Toscana në Leskoc, që udhëhiqet nga italiani, Masimo Macali, që strehon mbi 30 fëmijë pa përkujdesje prindërore, transmeton InfoKomuna.

Koloneli italian ka treguar se mjetet për realizimin e këtyre projekteve janë të Qeverisë Italiane dhe realizohen përmes Zyrës së CIMIC-ut në Pejë.

“Përvec sigurisë ne kemi edhe Zyrën për bashkëpunim civilo-ushtarak për të ndihmuar popullatën. Misioni ynë është që t'ju shërbejmë të gjitha etnive. Do të punojmë bashkërisht për sigurinë dhe ndihmën e qytetarëve në fusha të ndryshme”, ka thënë kolonel Gagliardi.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar paqeruajtësit italianë për përkujdesjen e treguar.

“Ne u jemi falënderues për gjithçka keni bërë gjatë kohës së luftës dhe për këtë që po bëni në periudhën e pasluftës. Projektet që na prezantuat janë shumë të rëndësishme për qytetarët tanë dhe Komuna është e hapur për bashkëpunim”, ka thënë Elezaj.

Ai e njoftoi KFOR-in se qeverisja lokale parasheh realizimin e shumë projekteve që do të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Komandanti i KFOR-it në Zonën Perëndimore, kolonel Ettore Gagliardi, e ka njoftuar kryetarin Elezaj dhe nënkryetarin Hoti, me ekipin e tij të Zyrës së CIMIC-it dhe Zyrës për Media të Zonës Perëndimore. /InfoKomuna/