Klina mbajti Olimpiadën mbarëkombëtare të Matematikës

KlinëPostuar: 15:16 / 18.05.2019

Në ambientet e shkollës së mesme të lartë profesionale, “Fehmi Agani”, në Klinë, sot është mbajtur një nga ngjarjet me të rëndësishme edukativo-shkencore në mbarë trojet shqiptare, Olimpiada e XXIV Mbarëkombëtare e Matematikës, e cila është organizuar për herë të parë në Komunën e Klinës, ndërsa është hera e tretë që organizohet në Kosovë.

Të pranishëm në këtë olimpiadë ishin rreth 150 nxënës, mësimdhënës e personalitete të ndryshme të shkencë e kulturës nga gjitha trojet shqiptare.

Po ashtu, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili bëri hapjen solemne.

“Është kënaqësi e madhe për mua, që sot jam bashkë me ju, mësues dhe nxënës të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në këtë garë të rëndësishme diturie, Olimpiadën Mbarëkombëtare të Matematikës, e cila është e para e këtij niveli kaq të rëndësishëm që organizohet nga Komuna jonë në bashkëpunim me klubin Paskal, i cili tashmë ka krijuar një përvojë të suksesshme në këtë fushë", tha kryetari Elezaj.

"Jam i lumtur që ky aktivitet po organizohet në Komunën e Klinës, pasi kjo olimpiadë, përveç që ka synim ngritjen e cilësisë në arsim, veçanërisht në lëndën e matematikës, nga viti në vit po merr gjithnjë përmasa më të mëdha dhe andaj dëshiroj që në emrin tim dhe të institucionit të cilin drejtoj të i`u dëshiroj mirëseardhje mysafirëve dhe të falënderoj Klubin Paslak për bashkëpunimin e ofruar, që kanë zgjedhur qytetin e Klinës për organizimin e kësaj ngjarje edukativo arsimore, dhe të shprehë mirënjohje për kontributin e çmuar që vazhdimisht kanë dhënë në fushën e arsimit. Suksese për të gjithë nxënësit në këtë olimpiadë!”, tha ndër të tjera kryetari Elezaj.

Ndërsa Drejtori i Arsimit, Arben Limani theksoi se kjo Olimpiadë tashmë i ka arritur objektivat e saj sepse përpos qëllimit parësor të zbulimit dhe afrimit të shkencëtareve të rinj të matematikës, Olimpiada po bashkon nga viti në vit dhe personalitetet e qyteteve  të shumta  dhe të ndryshme të trojeve tona heroike.

Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

Të ftuarit në këtë Olimpiadë vizituan edhe Ujëvarën e Mirushës dhe lokalitetin arkeologjik në fshatin Dresnik.

Organizimi i Olimpiadës së XXIV Mbarëkombëtare të Matematikës u bë nga Komunës së Klinës në bashkëpunim me  Klubin “Paskal” dhe  revistën “Plus” nga Tetova.

Shpallja e rezultateve finale, ku edhe do të ndahen çmimet për nxënësit që kanë treguar rezultate më të mira. /InfoKomuna/