Klina vazhdon pastrimin e rrugëve nga bora e madhe edhe gjatë natës

KlinëPostuar: 20:07 / 10.01.2019

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, njofton se ekipet e kompanive të pastrimit janë në aksion edhe gjatë natës për të hequr borën nga rrugët pas reshjeve të mëdha.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari Elezaj ka theksuar se reshjet e shumta po e vështirësojnë pastrimin e rrugëve, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe të përdorin pajisjet dimërore.

Postimi i i plotë i Elezajt:

"Pamje nga fshati Kpuz, ku dhe isha pak më parë përderisa mirëmbajtja është duke ndërhyrë për të pastruar rrugët lokale në këtë fshat.

Kompanitë e pastrimit janë momentalisht në terren dhe kanë qenë sot gjatë gjithë ditës, që nga orët e hershme të mëngjesit e do të vazhdojnë gjatë gjithë natës.

Ndërhyrja e mirëmbajtjes do të jetë 24 orë, megjithatë reshjet e vazhdueshme të borës po e vështirësojnë pastrimin e plotë të tyre.

Ju bëj thirrje të gjithë vozitësve për kujdes të shtuar dhe të përdorin pajisjet dimërore. 
Për raste urgjente telefononi numrin 049428900 dhe më shkruani në faqen time zyrtare".
/InfoKomuna/