Krasniqi në Klinë: NISMA nuk mashtron qytetarët

KlinëPostuar: 15:01 / 26.09.2017

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi, ka ftuar qytetarët e Klinës që të votojnë kandidatin e Nismës Nezir Gashi, duke thënë se kjo parti ka synim që t’u shërbejë qytetarëve të vendit.

Krasniqi tha se Nisma për herë të parë po merr pjesë në zgjedhje lokale dhe kjo parti me orientim të majtë ka për qëllim ndërtimin e shtetit, dhe jo interesat personale siç kanë bërë partitë e deritanishme në pushtet.

 “Jemi orientuar si parti politike e majtë për ti bërë shërbime atdheut për t’i bërë shërbime qytetarëve të Kosovës për të ndërtuar shtetin të Kosovës, e jo për të mashtruar qytetarët e Kosovës dhe pa pyet askënd për të bërë përgjithësime politike që i kishin përfunduar vite më parë dhe krejt këto bëheshin për interesa të individëve”, tha Krasniqi.

Edhe deputeti nga kjo parti Milaim Zeka, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për Nismën, pasi që qeverisja aktuale e Klinës nuk ka bërë asgjë të mirë për qytetarët, dhe vetëm sa ka degraduar qytetin.

 “Nuk ka më gjynah në qoftë se qytetarët e Klinës ia dhanë edhe një mandat me qeveris Sokol Bashota, edhe PDK-ja. Nuk ka më gjynah për këtë qytet se çfarë degradimi kanë bërë. Ju lutem vetëm dilni në qendër dhe shikoni se sa zi e terr i kanë bërë këtij vendi. Udhëheqja e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë menaxhuar me Klinën, nuk kanë menaxhuar me komunën, por  kanë menaxhuar me hajni dhe me tenderë”, ka thënë Zeka.

Ndërsa kandidati për kryetar të komunës Nezir Gashi para simpatizantëve të tij ka shpalosur programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Me këtë rast ai ka premtuar,  punësim, zhvillim ekonomik si dhe duke premtuar ulje të  taksave komunale për bizneset  që punësojnë dy apo më shumë njerëz.

 “Ngritje të kapaciteteve për nëpunësit civil, përmirësim i qasjes së ofruar për qytetarët dhe zvogëlimin e barrierave administrative komunale. Ofrim i informatave digjitale statistikore për qeverisjen komunale . Qeverisje të pastër , administrata publike profesionale në shërbim të qytetarit me të drejtë për të gjithë pa dallim. Punësim mbi bazën e meritës, profesionalizimit dhe integritetit. Nisma për Kosovën dega në Klinë do të përkrah ndërmarrjet e vogla dhe të mesme , prodhuesit me ulje të taksave në rast të punësimit të 2 apo tre apo edhe më shumë të punësuar. Kategorizim të taksave. Krijimin e lehtësiarve administrative dhe teknike për investitorët . Intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe ekonomisë jo formale “, ishin disa nga premtimet e Gashit.

Sipas tij, prioritet i Nismës do të jetë arsimi cilësor i cili do të  zhvillohet në bazë të profesionalizimit , cilësisë, me mësimdhënës të kualifikuar dhe me infrastrukturë të mirë shkollore.

Gashti tha se Nisma do të përmirësojë punësimin në komunë dhe  do ta largojë nepotizimin e klientelizmin duke i plotësuar me kuadër të kualifikuar.

Nisma nga Klina do të vazhdojë për në Istog dhe Pejë ku do të prezantojë kandidatët e saj për këto dy komuna.