Marjan Demaj dhe Shkëlzen Gashi shpallen qytetarë nderi të Klinës

KlinëPostuar: 14:38 / 12.07.2019

Me propozim të Kryetarit të Komunës, Zenun Elezaj, dhe me miratimin e këshilltarëve komunalë, në një seancë solemne të kuvendit komunal, iu është ndarë titulli “Nderi i Qytetit”, Prof. Dr. Marjan Demaj, dhe futbollistit Shkëlzen Gashi.

Mbledhjen solemne e hapi kryesuesi i kuvendit, Fadil Gashi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi profesorin Demaj dhe futbollistin Gashi për punën e tyre, me çka e kanë nderuar qytetin e Klinës dhe qytetarët tanë.

Në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës ishin të pranishëm drejtorë të drejtorive, këshilltarë komunal, profesorë universitarë, familjarë të Demajt dhe Gashit dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, foli për vlerat e mëdha të këtyre dy personaliteteve të cilat kanë rritur imazhin e qytetit në shkencë dhe sport.

“Kam nderin dhe privilegjin që si kryetar i Komunës së Klinës t’ju shpreh mirëseardhje në këtë seancë solemne me rastin e dhënies së titullit 'NDERI I QYTETIT', dy bashkëqytetarëve tanë, personalitete të njohura të arsimit, shkencës dhe sportit, prof. Dr. Marjan Demaj dhe Shkëlzen Gashit.

I Nderuar Prof. Dr. Marjan Demaj,
I Nderuar Shkëlzen Gashi,

Sot, ne, bashkëqytetarët tuaj, sikurse edhe më parë, jemi të lumtur që ju kemi dhe krenar me emrin tuaj. Kontributi dhe të arriturat e juaja në lëmine e arsimit, shkencës dhe sportit, janë të veçanta dhe përputhen plotësisht me kohën kur Klinës dhe Kosovës në përgjithësi i duhet promovimi i këtyre vlerave.”

Më tej, kryetari Elezaj, para të pranishmëve foli edhe për biografinë e rektorit Demaj dhe sportistit Gashi, ndërsa në fund të fjalimit uroi të dytë dhe theksoi se me veprat e tyre kanë nderuar Kosovën dhe Klinën në veçanti.
“Të nderuar të pranishëm.

Për ta kryer një borxh të vogël ndaj veprës madhore të këtyre dy personaliteteve, që me veprën dhe të arriturat e tyre jetësore nderuan Kosovën dhe Klinën në veçanti, me propozimin e komisionit kuvendar vlerësues dhe me miratimin unanim të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, Profesor. Dr. Marjan Demajt dhe Shkëlzen Taib Gashit, iu nda titulli “Nderi i Qytetit”.

Urime Profesor, Urime Shkëlzen. Urime gjithë qytetarëve të Klinës, ndarja e këtij titulli për këta dy personalitete, na nderon të gjithëve,” theksoi kryetari Elezaj.

Ndërsa profesori Demaj dhe sportisti Gashi falënderuan kryetarin Elezaj për ndarjen e këtij titulli nderi dhe të pranishmit për prezencën e tyre. Ata po ashtu theksuan se ky është një motivim edhe më i madh që të vazhdojnë me punë që të jenë shembull i mirë për të rinjtë klinas.
Në vijim paraqesim një biografi të shkurtë për z. Marjan Demaj dhe Shkëlzen Gashin.

Profesori Marjan Demaj është lindur me 27.05.1957 në fshatin Stupë, Komuna e Klinës. Shkollën fillore e kreu në Budisalc, të mesmen në Klinë dhe Prishtinë, ndërsa studimet themelore universitare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin 1980, ku në vitin 1984 përfundoi Studimet Universitare të magjistraturës, ndërsa Studimet e Doktoratës i përfundoi në vitin 1987. Nga viti 2016 është Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Shkëlzen Taib Gashi është lindur me 15.07.1988 në Çabiq të Klinës. Si futbollist profesionist, në moshën 18 vjeçare, debuton për herë të parë në Super ligën e Zvicrës, për të vazhduar karrierën profesionale me Bellinzona për 1 vit e gjysmë. Në dhjetor të vitit 2014, nga Shoqata e Futbollit në Zvicër, merr çmimin më të lartë në futbollin Zviceran “LOJTARI MË I MIRË PËR VITIN 2014”.

Pas përfundimit të kontratës me Baselin në janar të vitit 2016, vazhdon karrierën profesionale në ekipin e futbollit Kolorado Rapid në SHBA, ku ende është aktiv, ndërsa është edhe pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë në futboll".