Mbi 1 milionë euro investime për ujësjellës në 10 fshatra të Klinës

KlinëPostuar: 08:34 / 06.07.2017

Komuna e Klinës në bashkëpunim me Organizatën qeveritare zvicerane CDI dhe Qeverinë e Kosovës, janë duke realizuar projektin e ujësjellësit në 10 fshatra të Komunës së Klinës, të cilat kanë probleme më ujësjellës e për të cilat do të investohen mbi 1 milion euro.

Rregullimi dhe riparimi do të bëhet në ujësjellësin e fshatrave Sferkë, Volljakë, Dush, Gremnikë, Grabanicë, Qypevë e Ulët dhe e Lartë, Resnikë, Bingjë dhe Grapcë, ka bërë të ditur menaxheri i Njësisë së Kompanisë Publike “Hidrodrini” në Klinë, Halil Berisha.

Këto projekte janë në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt do të jenë në shërbim të qytetarëve pasi që ka mbetur vetëm montimi i pompave të ujit dhe njëherësh të gjitha kyçjet ilegale do të eliminohen.

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, tha se prioritet i qeverisjes lokale është sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët si element jetik.

“Më këto projekte pothuajse rrumbullakohet zgjidhja e problemit të ujit gati në të gjitha fshatrat e Komunës së Klinës. Po punojmë më përkushtim që të lehtësojmë sa më shumë jetën e qytetarëve tanë në zonat rurale që kanë mungesë uji”, tha Bashota, sipas të cilit prioritet do të jenë edhe fshatrat e Lugut të Drinit.

Përveç këtij projekti të madh kapital dhe shumë të rëndësishëm në infrastrukturën ujore, në fazën e dytë, parashihet edhe rregullimi i ujësjellësve në fshatrat Caravikë, Qabiq, Zabergjë, Gllarevë dhe Përqeve, ku janë paraparë rreth 700 mijë euro.

Bashota ka falënderuar partnerët që kanë ndihmuar në realizimin e këtyre projekteve dhe Njësinë “Hidrodrini” në Klinë, për punën dhe angazhimin që po bën për këto projekte.