Miratohet buxheti i komunës në vlerë 9.5 milionë euro

KlinëPostuar: 17:57 / 20.09.2017

Kuvendi i Komunës së Klinës, me shumicë të votave ka miratuar buxhetin e kësaj komune për vitin 2018, i cili është në vlerë 9 milion e 488 mijë e 703 euro. Prej tyre, 5. 733. 598 euro janë për paga dhe mëditje, 869. 878 për mallra dhe shërbime, 151. 258 për komunali, 65. 767 për trasferë dhe subvencione, ndërsa 2 milionë e 668 mijë e 202 euro për investime kapitale që krahasuar më ketë vit shënon rritje.

Sa i përket investimeve kapitale, për Drejtorinë e Arsimit janë paraparë 202. 818 euro, shëndetësi 40 mijë euro, administratë 15 mijë, inspektorat 15 mijë, shërbime publike 220. 000 euro, kadastër 13 mijë, bujqësi 46.500 euro dhe urbanizëm 2 milionë e 115 mijë e 884 euro.

Buxheti është votuar nga 20 anëtarë të Kuvendit, ndërsa kanë abstenuar anëtarët e AAK-së dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje. Projektet e planifikuara për 2018, janë orientuar në ndërtimin, rregullimin, riparimin, rinovim, të objekteve shkollore, urgjencës, kanaleve të ujitjes pastaj kanalizim, asfaltim të rrugëve, mirëmbajtje të rrugëve, ndreqim publik, ndërtim të ujësjellësit e tjera. Ekziston edhe një kod i veçante bashkëfinancim me donatorë në të cilën qeverisja komunale planifikon të realizojë edhe projekte të tjera që nuk janë në listën e projekteve të planifikuara, kryesisht në bashkëfinancim me qytetarë, qeverinë apo ndonjë donatorë të jashtëm apo të brendshëm.

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka njoftuar se tashmë Komuna e Klinës ka përfituar edhe një donacion 350 mijë euro të cilat rrisin buxhetin e komunës dhe na japin një mundësi për realizim të projekteve që ndikojnë në mirëqenie të qytetarëve. “Buxheti i takon qytetarëve të Klinës dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përveç projekteve të planifikuara, Komuna do të realizojë edhe projekte tjera në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës. Buxheti është më i madh krahasuar më vitet e kaluara dhe është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Bashota.

Ndryshe, në seancën e fundit legjislativi i Komunës së Klinës ka miratuar edhe Rregulloren për varrezat, ofrimin e shërbimeve të varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Në këtë seancë janë shpërndarë edhe mirënjohje për anëtarët e Kuvendit të Komunës, si shenjë kontributi të punës së tyre në mandatin katërvjeçar.
/InfoKomuna/