Ndërtimi i rrugës transitore e Klinës pritet të nisë në vjeshtë

KlinëPostuar: 11:13 / 26.04.2019

Projekti për ndërtimin e rrugës transitore tetë kilometra të gjatë, prej lokacionit kur lidhën rrugët e magjistrales Pejë-Prishtinë me atë për në Gjakovë, deri në anën tjetër të Klinës mbi zonën industriale, ku kjo transitore do të lidhet me rrugët për në Istog dhe Skenderaj, ende është vetëm në letër, ndonëse verën e kaluar ishte thënë se procedurat tenderuese për këtë rrugë që do të zbrazte qytetin e Klinës nga qarkullimi i automjeteve, do të nisin në tetor të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu kishte shpresuar kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, se do të ndodhte, pasi gushtin e kaluar projekti ka qenë në fazën e hartimit nga Ministria e Infrastrukturës, si financuese e këtij projekti, megjithëse fillimisht ishte menduar që të financohet në bashkëfinancim me Komunën.

Mirëpo, ky projekt ende nuk është gati të nisë të zbatohet në praktikë, megjithëse viti 2018 ka qenë i shënjestruar si vit i nisjes së punimeve në këtë projekt, i cili si projekt kapital ka qenë njëri prej premtimeve të Elezajt gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale 2017 se do ta realizojë gjatë këtij mandati qeverisës.

“Ky projekt ka qenë premtimi im gjatë fushatës zgjedhore, por nuk po varet krejt edhe prej neve, por angazhimet tona janë maksimale që këtë projekt ta realizojmë”, thotë Elezaj.

Tash ka ndryshuar viti, por duket se tetori ka mbetur serish muaji i pëlqyer i Elezajt, kur ai shpreson se do të nisin jo procedurat tenderuese, por punimet ndërtuese të kësaj rruge transitore.