Në Klinë nis ndërtimi i Fabrikës së Metalit

KlinëPostuar: 10:19 / 28.09.2018

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, të enjten ka vizituar Komunën e Klinës, ku është pritur nga kryetari Zenun Elezaj, dhe kanë diskutuar temat që janë në prioritet për qytetarët e Klinës.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi gjendjen aktuale dhe të arriturat në Komunën e Klinës si dhe njoftimi në lidhje me projektet në të cilat do të përfshihet Komuna e Klinës gjatë viteve në vazhdim. 

Me këtë rast Limaj i shoqëruar nga kryetari Elezaj kanë vizituar fshatin Grabanicë me rastin e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e “Fabrikës së Metalit” një projekt dhe investim i rëndësishëm që po i shtohet Klinës. 

Projekti konsiderohet të jetë një model pikë fillestare shumë e rëndësishme për zhvillim në fushën e ekonomisë.

Kryetari Elezaj u shpreh se "zv.kryeministri Limaj, e nderoi Komunën e Klinës sot me vizitën e tij, ku përveç pjesëmarrjes së tij në përurimin e punimeve të “Fabrikës së Metalit”, patëm rastin që të shprehim të gjitha problemet të cilat ne po punojmë që qytetarëve të ju krijohet jetesa sa më e mirë".

"Morëm përkrahje të plotë edhe për disa nga çështjet që e preokupojnë komunën tonë, si furnizimi me ujë të pijes, infrastruktura rrugore  si dhe probleme të tjera  me të cilat përballen qytetarët klinas", tha ai. /InfoKomuna/