Në Pograxhë të Klinës nisin punimet në asfaltimin e dy rrugëve

KlinëPostuar: 15:53 / 16.04.2018

Kanë nisur punimet në asfaltimin e dy rrugëve të fshatit Pograxhë të Komunës së Klinës, rrugë kjo e cila do të krijojë lehtësi dhe kushte tepër komode në lëvizje për më shumë familje të këtij fshati.

Me rastin e fillimit të këtyre punimeve, morën pjesë kryetari, i Komunës, Zenun Elezaj, nënkryetari Besim Hoti dhe drejtori për Urbanizëm Lorenc Marleku.

Kryetari Elezaj, shprehu kënaqësinë me fillimin e punimeve të këtij projekti shumë të rëndësishme për banorët e këtyre dy lagjeve të këtij fshati.

“Përpjekjet e qeverisë komunale në ngritjen e mirëqenies dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve të saj do të jenë të vazhdueshme, sepse qytetari ynë meriton kushte më të mira infrastrukturore dhe një jetë më cilësore”, është shprehur ndër të tjera kryetari Elezaj.

Banorët e këtij fshati iu gëzuan këtyre projekteve, po ashtu falënderuan pushtetin komunal, sepse sipas tyre, kjo rrugë çdo herë pas reshjeve bëhej e pakalueshme, e sidomos për fëmijët që vijonin mësimet në shkollën e Jashanicës.

Rruga ka një gjatësi prej 2.200 metra, ndërsa realizimi i këtij projekti do të kushtojë  99.683,500 euro. Punimet e asfaltimit të këtyre rrugëve do të kryhen nga “Benita Company” dhe pritet që të përfundojnë brenda 100 ditëve. /InfoKomuna/