Nisin punimet për asfaltimin e rrugëve që lidhin Klinën me Skenderajn

KlinëPostuar: 12:00 / 26.07.2019

Kanë filluar punimet për asfaltimin e dy rrugëve që lidhin fshatin Ujmir me Qupevën dhe fshatin Siqevë më Aqarevën, që lidhë Klinën me Skenderajn me rrugë të asfaltuar, të cilat bashkërisht kanë një gjatësi rrugore 12 kilometra..

Në fillimin e punimeve kanë marrq pjesë Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, me bashkëpunëtorë dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Me këtë rast, Kryetari Elezaj ka uruar banorët e këtyre fshatrave për fillimin e këtyre projekteve, që ndikojnë drejtpërdrejtë në ofrimin e qarkullimit të lirë rrugor dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe ka falënderuar ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj për mbështeten financiare të këtyre dy projekteve dhe projekteve tjera, me qëllim të kompletimit të infrastrukturës nëpër fshatra.

Ai ka shtuar se këto projekte kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për qytetarët e Klinës, por edhe të qyteteve tjera, pasi lidhin me rrugë të asfaltuar Klinën dhe Skenderajn.

Ndërsa ministri Lekaj ka theksuar se këto projekte janë dëshmi e suksesit të qeverisë në detyrë. Ai shtoi se rruga Siqevë-Aaqrevë ka simbolikën e rezistencës dhe sakrificës për liri, që ne sot të mund të punojmë në të mirë të qytetarëve të vendit.

Rruga Ujmir – Qupevë, e cila është në fazën e dytë të punimeve, ka një gjatësi prej 4.3 kilometra, me kosto totale 332 480 euro dhe një afat kohor për përfundimin e punimeve prej 90 ditë pune.

Ndërsa rruga Siqevë - Aqarevë ka një gjatësi prej 7.3 kilometra, me kosto prej 384 124 euro dhe një afat kohor për përfundimin e punimeve prej 119 ditë pune.

Vlera totale e dy projekteve është 716 604 euro, ndërsa financues është Komuna e Klinës në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Po ashtu, Kryetari Elezaj dhe ministri Lekaj i bënë vizitë edhe rrethrrotullimit në hyrje të Klinës, i cili është në fazën përfundimtare të punimeve. /InfoKomuna/