Nisin punimet në kanalizimin e fshatit Dush të Klinës

KlinëPostuar: 10:45 / 20.04.2018

Në fshatin Dush të Komunës së Klinës kanë filluar punimet në ndërtimin e kanalizimit, projekt ky që financohet nga mjetet vetanake të Komunës së Klinës në vlerë prej 42.668,11 euro, ndërsa gjatësia e këtij kanali do të jetë 2481,75 metra.

Në nisjen e punimeve të këtij kanalizimi mori pjesë kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, nënkryetari Besim Hoti, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fadil Gashi, drejtori i Urbanizmit, Lorenc Marleku, bashkëpunëtorë të tjerë,  po ashtu edhe banorë të këtij lokaliteti.

Duke folur në këtë solemnitet, kryetari Elezaj u shpreh se "ndihem më mirë se gjithherë kur ka të bëjë me fillim të punimeve të projekteve që kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve".

"Trajtimi i ujërave të zeza përpos që është  nevojë për t’i larguar ato, patjetër është nevojë edhe në aspektin shëndetësor, ngase ato do të derdhen në një distancë shumë më të largët ku janë derdhur deri më tash, me ç’rast do të krijohet një ambient më të pastër dhe do të hiqet rreziku për ndotjen e ambientit", tha ai.

Kryetari Elezaj ka përmendur edhe projektet tjera që janë në realizim dhe do të kryhen në të ardhmen në Komunën e Klinës, duke i dhënë hapësirë të gjitha lokaliteteve të kësaj komune  pa dallime.

Ndërkaq, banorët e kanë mirëpritur projektin e ndërtimit të kanalizimit në këtë fshat, ku sipas tyre, sot është ditë e veçantë për banorët e këtij lokaliteti, ngase po realizohet një projekt jetik për këta banorë të këtij fshati, siç është rregullimi i rrjetit të kanalizimit, projekt ky i cili do të ndikojë në përmirësimin dhe kualitetin jetës së qytetarëve të këtushëm.

Punimet e këtij projekti do t’i kryejë “BK Construction” nga Peja dhe “Berisha  Company” nga Gjakova. Punimet do të përfundojnë brenda afatit prej 100 ditëve. /InfoKomuna/