Sivjet ndërtohet një çerdhe në lagjen "Arbëria" të Klinës

KlinëPostuar: 22:46 / 19.03.2018

Në lagjen “Arbëria” të Klinës, sivjet do të ndërtohet një çerdhe me kapacitet deri 90 fëmijë. Po ashtu, janë planifikuar edhe projekte tjera në infrastrukturë rrugore dhe fusha tjera të cilat pritet të nisin shumë shpejt. Kjo është bërë e ditur në takimin e rregullt javor të Këshillit të Drejtorëve Komunal, që është mbajtur sot.

Përveç kësaj, është njoftuar se sivjet do të bëhet edhe rinovimi i disa objekteve shkollore, pastaj mirëmbajtja e rrugëve me zhavorr, asfaltimi i rrugës unazore e projekte tjera në interes të qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kërkuar nga drejtorët komunal që të bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura për projektet, të hartohen edhe projekte tjera si dhe të mbikëqyret vazhdimi i projekteve që janë vazhdimësi e vitit të kaluar.

Ai kërkoi intervenim në mbulimin e gropave të rrugët e qytetit dhe pusetat që janë të hapura. Elezaj, pohoi se tashmë jemi në sezonin e fillimit të realizimit të projekteve dhe për këtë duhet të konsultohen edhe qytetarët.

Nënkryetari i Komunës, Besim Hoti, ka kërkuar që të intervenohet me zhavorr në mirëmbajtje të rrugëve në ato vende ku gjendja është më e vështirë.

Është biseduar për përgatitjet rreth Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë” dhe zbulimet arkeologjike në Dresnik të Klinës, që tashmë është zonë e veçantë dhe synohet që në të ardhmen të bëhet “ Park Arkeologjik”. /InfoKomuna/