Uji i Klinës i plotëson standardet për pije

KlinëPostuar: 10:58 / 19.09.2017

Bazuar në analizat e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, uji i burimit të qytetit të Klinës i plotëson gjitha standardet e kërkuara dhe është i pijshëm. Kjo duke u bazuar në analizat që ka kryer ISHPK-ja në disa burime të qytetit të Klinës në periudhën janar-korrik 2017.

Kjo konfirmohet edhe nga Halil Berisha, menaxher i Njësisë ‘Hidrodrini’ në Klinë i cili i posedon analizat e ujit të Klinës të kryera nga ISHPK-ja.

ISHPK-ja ka marrë mostrat e ujit në 5 burime: në hyrje të qytetit të Klinës në lagjen ‘Arbëria’, të objekti i Njësisë Operative ‘Hidrodrini’, të burimi i Shkollës së Mesme ‘Luigj Gurakuqi’, të Kisha Katolike dhe të Stacioni i trenit.

“Rezultatet pas mostrave të marra rezultojnë se uji i qytetit të Klinës i plotëson gjitha standardet e kërkuara dhe mund të përdorët për pije. Bakterologjikisht dhe kimikisht uji është i pastër”, konfirmon Halil Berisha duke u thirrur në analizat e ISHPK-së.

Origjinali i analizave ekziston të ISHPK-ja, Kompania “Hidrodrini” dhe Komunë të Klinës. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, thotë se Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës është organi i vetëm përgjegjës për kryerjen e analizave të ujit në Kosovë dhe se në bazë të analizave të kryera dhe rezultateve që janë publike, uji në Klinë është i pijshëm.