Kolegjiumi i drejtorëve për buxhet dhe financa bëhet me udhëheqje të re

Postuar: 16:07 / 21.02.2018

Asociacioni i Komunave të Kosovës organizoi takimin e Kolegjiumit për Buxhet dhe Financa në kuadër të mbështetjes së strukturave të saja, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Takimi kishte për qëllim informimin e Drejtorëve të sapo zgjedhur të Komunave për rolin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, aktivitetet lobuese, përfshirë koordinimin e kërkesave komunale dhe pozicionimin përmes rekomandimeve të cilat dalin nga strukturat e AKK-së, me objektiv kryesor përmirësimin e strukturës legjislative të vetëqeverisjes lokale, raporton InfoKomuna.

Rezultatet e planifikuara të AKK-së në fushën e lobimit përfshijnë ndërlidhjen e kërkesave dhe përfaqësimin e përbashkët që kërkesat e komunave të merren parasysh në proceset legjislative si dhe fuqizimin e AKK-së si aktor në proceset vendimmarrëse.

Në kuadër të projektit Vetëvlerësimi i Financave Komunale - MFSA (Municipal Finance Self-Assessment), bashkëpunim ky nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Rrjeti i Asociacioneve të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore – NALAS, Osman Sadikaj specialist në zbatimin e MFSA-së në territorin e Kosovës ka informuar drejtorët komunal dhe ka ndarë përvojën e tij rreth zbatimit te projektit te MFSA në Komunën e Shtimes si pilot komunë për t’u zbatuar në territorin e Kosovës dhe ka folur për rëndësinë e zbatimit të MFSA edhe në komunat e tjera.

Po ashtu në takim u shqyrtua edhe programi legjislativ për vitin 2018, lidhur me pjesëmarrjen në Grupet Punuese Qeveritare dhe Komisionet Parlamentare gjatë shqyrtimit të projektligjeve të reja apo plotësim ndryshimit të ligjeve në fuqi.

Në këtë takim njëherësh është shqyrtua dhe miratua nga anëtarët edhe Rregullorja e Punës, si dhe është bërë edhe zgjedhja e Kryesisë dhe e Kryesuesit të këtij Kolegjiumi.

Kështu Kryesues i Kolegjiumit për Buxhet dhe Financa të AKK-së është zgjedhur Jeton Abazaj – drejtor për Buxhet dhe Financa në Komuna Pejë kurse zv.kryesuese i këtij Kolegjiumi është zgjedhur Sebahate Ajeti-Sadiku – drejtoreshë për Buxhet dhe Financa në Komuna Ferizaj.

Ndërsa anëtarë të tjerë të Kryesisë së Kolegjiumit u zgjodhën Drejtorët për Buxhet dhe Financa të Komunave: Prizren, Gjilan, Podujevë, Kllokot, Skenderaj, dhe Gjakovë ndërsa propozimi nga komunat jo shumicë pritet të përcaktohet në takimin e radhës. /InfoKomuna/