Kolegjiumi i Zyrtarëve Ligjor debatoi rreth Projektligjit për Zyrtarët Publik

Postuar: 10:13 / 16.05.2018

Asociacioni i Komunave të Kosovës njofton se në takimin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjor u shqyrtua Projektligji për Zyrtarët Publik, në kuadër të të cilit përfshihet edhe shërbimi civil. Sponsorizues i këtij projektligji është Ministria e Administratës Publike.

Projektligji u analizua nen për nen, sidomos në aspektin juridik, rreth teknikave të hartimit të akteve juridike dhe përfshirjes së elementeve të nevojshme që duhet t'i ketë një projektligj, e ku dhanë vërejtjet dhe plotësimet e nevojshme.

Ky projektligj është i një rëndësie të veçantë për nivelin lokal, pasi rregullon të gjitha procedurat prej rekrutimit e deri në shkëputjen e marrëdhënies së punës, për të gjithë zyrtarët publik, që në nivelin lokal përfshihen shërbimi civil- administrata e komunës, personeli arsimor dhe shëndetësor, po ashtu edhe stafi teknik në të gjithë sektorët.

Kolegjiumi dha vërejtje pasi shumë nene janë ndarë veçmas për nivelin qendror e veçmas për nivelin lokal, dhe janë lënë pa përfshirë shumë procedura që i përkasin edhe nivelit lokal, duke pasur parasysh se shërbimi civil në Kosovë është unik andaj duhet përfshirë të dy nivelet në të gjitha procedurat. /InfoKomuna/