Komuna dhe Shoqata "Jetimat e Ballkanit" ndërtojnë 10 shtëpi të reja për familje skamnore

KlinëPostuar: 16:11 / 19.06.2020

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur në takim hoxhën Halil Kastrati dhe përfaqësues nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e 10 shtëpive të reja për 10 familje nevojtare të Komunës së Klinës.

Kryetari Elezaj ka theksuar se ndihet shumë i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi dhe ofroi mbështetjen e plotë të komunës në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

Elezaj theksoi se nevojat e qytetarëve janë të mëdha dhe shprehi falënderim për humanistin Halil Kastrati dhe shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për gatishmërinë e bashkëpunimit.

Ndërsa, hoxha Halil Kastrati vlerësoi bashkëpunimin e mirë që kanë pasur në të kaluarën me Komunën e Klinës dhe falënderoi kryetarin për korrektësinë e treguar.

Kjo marrëveshje parasheh ndërtimin e 10 shtëpive sipas modelit me çelësa në dorë, për familjet me kushte të rënda ekonomike dhe të cilat nuk kanë kushte minimale banimi. /InfoKomuna/