Komuna e Kaçanikut kërkon kompensimin e dëmit gjysmë milionësh nga “Bechtel Enka”

KaçanikPostuar: 09:48 / 07.02.2018

Dy ditë pas vërshimeve Komuna e Kaçanikut ka dalë me një raport të përafërt rreth dëmeve, shkaktuar nga moti.

Vlerësimet e para dalin me shifrën prej më shumë se gjysmë milioni euro, në parcela bujqësore, shtëpi banimi, vetura, hapësira publike etj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Udhëheqësit e Komunës kanë akuzuar kompaninë “Bechtel Enka” me arsyetimin se zhavorri i punimeve në autostradë është bartur nëpërmjet përroit të Rakocit, ndërkaq kërkojnë kompensim të dëmeve.

Gjithashtu Komuna ka kërkuar mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës derisa Komuna nuk ka ndonjë fond të veçantë për raste të tilla emergjente.

Besim Ilazi, kryetar i Kaçanikut, ka thënë se ka kërkuar një takim me udhëheqësit e kompanisë “Bechtel- Enka” dhe me përfaqësues nga Qeveria e Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje për kompensim.