Komuna e Pejës s’e zbaton vendimin për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet

PejëPostuar: 14:08 / 21.05.2019

Plani për mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga të gjitha format e abuzimit fizik, ekonomik, seksual, neglizhencë... ka mbetur vetëm në letër, ndonëse kishte marrë formën e vendimit të miratuar në Kuvendin Komunal të Pejës qysh nga shtatori i vitit 2017.

Me qëllim të krijimit të një sistemi dhe mekanizmave praktikë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi, Komuna e Pejës ishte e para në Kosovë, që kishte miratuar një plan të tillë, dhe në bazë të vendimit për zbatimin e tij, ky dokument obligon kryetarin e Komunës në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) që të ndajnë edhe mjete për të, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë plan, Komuna e Pejës përmes DShMS-së, kishte synuar avancimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës dhe familjes nga abuzimi, rënien e dhunës në familje, shkolla dhe ambiente të tjera, në periudhën kohore 2018-2021.

Plani ishte hartuar nga një grup punues, pjesë e të cilit ka qenë edhe OJQ “Syri i Vizionit”, si iniciator i hartimit dhe mbështetës e financues i këtij plani, në partneritet me “Save the Children” në Kosovë, në kuadër të programit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”.