Komuna e Vushtrrisë siguron nxënësit e shkollës Teknike dhe Profesionale që po kryejnë praktikën

VushtrriPostuar: 15:50 / 12.12.2019

Mbi 1100 nxënës të dy shkollave të mesme, Shkollës së Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” dhe Shkollës së Mesme Profesionale “Bahri Haxha” të qytetit të Vushtrrisë, nga ky muaj janë bërë me sigurim shëndetësor gjatë kohës që ata kryejnë praktikën profesionale. Shpenzimet e sigurimit shëndetësor të nxënësve që kryejnë praktikën mbulohen nga buxheti i Komunës.

Përmes një ceremonie, kartelat e para të sigurimit shëndetësor nxënësve u janë ndarë sot nga kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, i cili tha se Komuna e Vushtrrisë po e ndërton një politikë të re që është e vetmja në gjithë Kosovën.

“Vushtrria bëhet Komuna e parë që siguron nxënësit e shkollave profesionale përgjatë mësimit në punë-praktikës profesionale. Kjo politikë e re në arsim ka për qëllim avancimin e arsimit profesional dhe më e rëndësishmja afrimin e nxënësit me punëdhënësin”, ka thënë Tahiri.

Drejtori i arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Afrim Namai, thotë sigurimi shëndetësor për nxënësit, është bërë për shkak të mbrojtjes së nxënësve gjatë punës së tyre praktike, për të cilën thotë se është një standard i ri që Komuna e Vushtrrisë po e zbaton në shkollat e sajë. /InfoKomuna/