Komunarët e Obiliqit njëzet mijë euro për vetura brenda tre muajsh

ObilicPostuar: 09:57 / 31.05.2018

Komunarët e Obiliqit kanë bërë goxha shpenzime për automjete zyrtare. Për tre muaj ata kanë harxhuar rreth 20 mijë euro për to. Në këtë shumë përfshihen karburanti, regjistrimi, sigurimi e mirëmbajtja e tyre.

Shuma më e madhe është shpenzuar për karburante 8,647 euro, pastaj për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare 5,476 euro, për sigurimin e tyre 3,313 euro dhe për regjistrimin e këtyre automjeteve 1,130 euro.

Sipas raportit financiar për periudhën janar-mars zyrtarët komunalë i kanë shpenzuar edhe 1,666 euro për dreka zyrtare dhe po ashtu edhe 4,451 euro për furnizim ushqim dhe pije (jo dreka zyrtare), shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë periudhë tremujore Komuna e Obiliqit ka harxhuar 1,329 euro për shpenzime të telefonisë mobile dhe 243 euro shpenzime telefonike (fiks),mbeturina 1,069 euro, naftë për ngrohje qendrore 1,448 euro, dru 979 euro, shpenzime të udhëtimit jashtë vendit 352 euro, mëditje të udhëtimit zyrtar jashtë vendit 528 euro, rryma 9,454 euro, uji 763 euro, etj.