Kryetari Veliu pret në takim kryeshefin e Agjensionit për Efiçencë të Energjisë

PodujevëPostuar: 16:39 / 20.07.2017

Kryetari Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka pritur në takim kryeshefin e Agjensionit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë, Bedri Dragusha, me të cilin ka diskutuar për ngritjen e sistemit për menaxhimin komunal të energjisë.

Në fokus të takimit të sotëm të kryetarit Veliu me z.Dragusha ishte diskutimi për zbatimin e pakos së tretë të energjisë efiçente dhe mbështetjen që ofron Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe projekti për efiçencë i GIZ-it për këtë pako, e cila parasheh përkrahjen e nivelit komunal për ngritjen e sistemit për menaxhim të energjisë.

Kryetari Veliu u shpreh i gatshëm për bashkëpunim në realizimin e projekteve që avancojnë çështën e efiçencës së energjisë dhe premtoi përkushimin e Komunës së Podujevës në këtë drejtim. Kryetari Veliu gjithashtu theksoi se Komuna e Podujevës e ka të hartuar Planin Komunal për Efiçencë të Energjisë.

Në takimin, ku ishin prezent edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, përfaqësuesi i Projektit për efiçencë të energjisë në GIZ,Avni Sfishta dhe zyrtari i MZHE-së, Maliq Pireci, u diskutua edhe për ndërtimin e një softveri për menaxhimin e energjisë efiçente për Komunën e Podujevës.

Gjithashtu, gjatë takimit u theksua nevoja e nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në mes të komunës së Podujevës, MZHE-së dhe GIZ-së.
Ndërsa, për ngritjen e sistemit komunal për menaxhimin e energjisë efiçente parashihet edhe caktimi i një zyrtari komunal për efiçencë të energjisë, si dhe një varg takimesh dhe trajnimesh për stafin përcjellës.

/InfoKomuna/