Kurteshi-Emini: Kuvendi Komunal i Gjilanit kthehet në punë më 2 qershor

GjilanPostuar: 17:08 / 26.05.2020

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) sot ka mbajtur takimin e parë pas pushimit të detyruar shkaku i pandemisë, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal Informatën rreth gjendjes së pandemisë Covid-19, raportin e punës për vitin 2019 të kryetarit të Komunës, raportin financiar janar-dhjetor 2019 si dhe propozim-vendimin për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini tha se Kuvendi Komunal do të punojë me agjendë të reduktuar për shkak të masave kundër pandemisë, por për të kompensuar kohën e humbur, gjatë qershorit do të mbahen dy seanca.

Rikthimin e Kuvendeve Komunale në punë e ka lejuar MAPL-ja, pas konsultimeve me IKSHP, por kërkohet kujdes i shtuar për shkak të pandemisë, ka thënë ajo.

Edhe anëtarët e KPF, Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli e Hevzi Xhelili (PDK), Nevzat Isufi e Arijeta Rexhepi (LVV), Mimoza Kadriu (Nisma), Shemsedi Ramushi (AKR), Ibish Ibishi (i pavarur) janë dakorduar për këtë rend pune në seancën e 2 qershorit, derisa kanë kërkuar që nga seanca tjetër të rikthehen edhe pika e pyetjeve-përgjigjeve dhe pika nën të ndryshme, në mënyrë që të kenë mundësi t`i paraqesin interesimet e qytetarëve, të cilët i përfaqësojnë.

Informatën për gjendjen e pandemisë, në pika të shkurtra e ka prezantuar Selami Xhemajli, i cili tha se pavarësisht lehtësimit të disa masave, që fillojnë prej të enjtes, distanca fizike dhe masat tjera higjienike duhet të respektohen edhe më tutje.

Xhamitë dhe kishat, sipas udhëzimit të MSH dhe IKSHP do të hapen të enjten, por paraprakisht ne do t`i dezinfektojmë të gjitha objektet fetare në komunën tonë, ka thënë Xhemajli.

Ndërkaq, disa sqarime sa i përket raportit financiar i ka dhënë drejtori Zijadin Maliqi, i cili ka thënë se pandemia ka ndikuar dukshëm në rënien e të hyrave vetanake, të cilat grumbullohen kryesisht nga tatimi në pronë dhe lejet e ndërtimit.  /InfoKomuna/