Kuvendi miratoi Programin trevjeçar të banimit në Podujevë

PodujevëPostuar: 14:30 / 29.07.2019

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, shqyrtoi Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës për vitin 2018; Raportin Financiar për periudhën janar-qershor 2019 dhe miratoi Programin trevjeçar të banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018, si dhe Planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit.

Drejtori Latifi tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018 është i pakualifikuar me theksim të çështjes, pra është opinion pozitiv. Ai gjithashtu tha se tashmë është hartuar plani i veprimit për plotësimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Lidhur me të gjeturat në Raportin e Auditimit diskutuan këshilltarët komunalë, Avni Fetahu (LDK), Fitim Haziri (LVV) dhe Fatmir Rudari (PDK).

Në mbledhjen e sotme drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka prezantuar Raportin financiar të Komunës së Podujevës për periudhën janar-qershor 2019.

Drejtori Latifi tha se shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-qershor kanë arritur shumën prej 7,737,976 euro. Prej tyre, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 5,960,798 euro, për mallra dhe shërbime 553,603 euro, shpenzime komunale 162, 660 euro, subvencione dhe transfere 83,330 euro dhe për investime kapitale janë shpenzuar 978,585 euro.

Raportin e ka mbështetur këshilltarja e LDK-së, Valbona Kadriu-Podvorica, kurse Doruntina Hasani nga LVV dhe Bashkim Syla nga PDK bënë vërejtje lidhur me shpenzimin e ulët të mjeteve në kategori të ndryshme buxhetore dhe përqindjen e ulët të arkëtimit të hyrave vetanake.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, prezantoi Programin Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës dhe raportin nga diskutimi/debati publik.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës Kuvendi me shumicë votash miratoi Programin Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës. /InfoKomuna/