43 mikro-biznese të Lipjanit përfitojnë grante

LipjanPostuar: 13:07 / 10.05.2018

Komuna e Lipjanit në bashkëfinancim me organizatën gjermane “Help” ka nënshkruar sot kontratat me 43 mikro-biznese, përfitues të granteve, në kuadër të projektit Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro-bizneseve në Kosovë.

Kryetari Imri Ahmeti u ka uruar suksese përfituesve duke uruar që bizneset e tyre të funksionojnë suksesshëm në mënyrë që kjo ndihmë të ndikoj direkt në gjenerimin e vendeve të reja të punës, transmeton InfoKomuna.

Kryetari Ahmeti po ashtu ka shprehur falënderim për organizatën gjermane Help për bashkëpunim të mirë, duke shfaqur shpresën që “kjo energji të na përcjellë edhe në të ardhmen, me projektet të ngjashme të cilat po ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik lokal”.

Shqipe Breznica, koordinatore e projektit të organizatës gjermane Help, ka falënderuar Kryetarin Ahmeti për bashkëpunimin të ngushtë si dhe zotimin e participimit të Komunës së Lipjanit për implementimin e këtij projekti.

Projekti financiohet nga Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës dhe me participim të Komunës së Lipjanit. /InfoKomuna/