Fondacioni i OEAK dhuron pajisje për shkollën profesionale në Lipjan

LipjanPostuar: 15:57 / 09.01.2019

Fondacioni i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka dhuruar Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan një donacion në pajisje të teknologjisë së informacionit dhe orendi të tjera, ka bërë të ditur OAEK përmes një komunikate për media

Donacioni përfshin kompjuterë desktopë, karrige, si dhe një printer, ndërsa do të bëjë të mundur pajisjen elementare të një laboratori për qëllime të ushtrimeve praktike nga lëndët e ndërmarrësisë dhe ekonomisë.

Me rastin e dhurimit të donacionit, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se iniciativat si këto kanë për qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit e shkollave kosovare me qëllim të përgatitjes më të mirë të tyre për tregun e punës, ndërsa falë mbështetjes së vazhdueshme të anëtarëve të Odës Amerikane, përkrahja e tillë do të vazhdojë përgjatë tërë vitit 2019.

“Kësaj iniciative të Odës Amerikane i janë bashkuar edhe kompanitë IPKO, Meridian, Coca Cola HBC, Limak-Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Gjirafa, Klinika Amerikane, NLB Bank, Railtrans dhe Orbi-Co”, thuhet në komunikatë.

Fondacioni i Odës Amerikane funksionon nga viti 2012, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të këtij Fondacioni dhurohen për qëllime të edukimit të të rinjve, posaçërisht të atyre në viset rurale të Kosovës.