Këshilltarët privohen nga e drejta për qasje në dokumente publike në Lipjan

LipjanPostuar: 11:13 / 22.11.2018

PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, degët në Lipjan, kanë akuzuar qeverisjen lokale për mungesë të transparencës derisa këshilltarëve të KK-së po u mohohen qasja në dokumente publike dhe mosllogaridhënia për projekte të caktuara.

Pastaj sipas opozitës peticionet e qytetarëve nuk po përcillen për diskutim para këshilltarëve të KK-së dhe ueb-faqja zyrtare e Komunës nuk pasqyron informacione reale për zhvillimet e KK-së duke mos i publikuar asnjëherë deklaratat e opozitës, shkruan sot Koha Ditore.

Ramiz Qeriqi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka deklaruar se që nga viti i kaluar po kërkon nga Komuna qasje në dokumente publike për të marrë listën e pagesave të qirasë së lokaleve afariste në pronësi të Komunës, pastaj listën e lejeve ndërtimore për 2015, 2016, 2017 dhe disa dokumente të tjera publike, mirëpo asnjëherë nuk i janë përgjigjur.